Takimet e Poetëve në Prizrenit: “Katedra e Mendjes së Lirë” paraqet shkrimtarin Petrit Palushi, i cili jeton dhe vepron në Kukës, Shqipëri
Shkruan: Demir Reshiti
Petrit Palushi është krijues krejt i veçantë që u shfaq në letrat shqipe pas viteve ‘90, i cili pos si romansier, herë pas here merret me publicistikë dhe eseistikë, njihet edhe si studiues i letërsisë shqipe. Ka botuar këto vepra: “Shkrimtari dhe anatema” (1995), “Masakër në Buzëmadhe” (1996), “Muharrem Bajraktari në vitet ’45-‘46” (1998), “Misteri i rrëfimit”, (1999), “Kukësi në 79 ditë” (1999), “Përroi i Andrrës” (2004), “Tri motra në një qytet” (2006, botimi i dytë 2011), “Kryqëzimi i Havzi Nelës” (2008), “Artemisa e mëkatit” (2010), “Njeriu që kujdesej për varrin e vet” (2007), “Këpucët e Kaltrinës” (2013), “Shtrati 13” (2016), “Frederik Rreshpja që s’e kuptuam kurrë” (2016) dhe “Dënimi i dytë i Havzi Nelës” (2017). Disa nga këto vepra edhe janë ribotuar.
Më vitin 2019, Palushi ka ribotuar me disa plotësime edhe librin-ditar, “Kukësi në 79 ditë – Pranverë 1999”.
Pesë faqet e ditarit:
E shtunë, 15 maj 1999
Krijuesi Demir Reshiti, pas mbërritjes në Kukës nisi bashkëpunimin me Radio Kukësin.
Emisioni i parë që përgatiti ishte një kronikë për një fëmijë të humbur. Ai tregon se me 2 prill gjetën një vajzë dyvjeçare, që po qante mu përpara Xhamisë së Kukësit. E gjeti Shyqyri Misini (nga Pllava e Opojës) dhe e mbante fort mirë këtë gjë se ishte ditë e premte, një e premte shumë e ftohtë dhe kur pa se fëmija po qante dhe s’po i avitej kush e mori atë në krah dhe pyeti njerëzit atypari dhe rreth-e-rrotull xhamisë dhe në xhami brenda, kur pa se s’i doli zot njeri fëmijës, atëherë u paraqit në Komisariatin e policisë. E morën fëmijën në furgon të policisë, lajmëruan disa herë në TV Kukësi dhe Radio Kukësi, por prap asnjeri s’i doli zot fëmijës. Mbas kësaj, Shyqyri Misini e mori fëmijën me veti dhe tani banojnë te kampingu i ndërtuar prej italianëve, te çadra me numër 389. E pagëzoi vajzën me emër e mbiemër: Atdhetare Kosova dhe, nëse një ditë do t’i gjendeshin prindërit atëherë fëmija do thirrej me emrin dhe mbiemrin si kishte përnjëmend në Kosovë.
Demiri më tregon se kish dëgjuar se prindët e fëmijës ishin vra para se të dëbuarit të vinin këtu dhe, me sa duket, dikush nga të afërmit e ka marrë me veti dhe në rrëmujë e sipër, te xhamia i ka humbë.
Por, ndërkohë, ai thotë se një rast të tillë e ka pa vetë, duke ecë nëpër malet e Sharrit për kah Maqedonia. N’udhëtim ishin edhe shumë gra, fëmijë, pleq, kryesisht banorë të katundit Kuklibeg. Ishte ftohtë, jashtëzakonisht ftohtë dhe ngrijë e madhe. Tek ecte me një bashkëkatundar të vetin, Agim Sinanin, në një rast takohen me do banorë të Kuklibegut, të cilët u tregojnë se n’udhëtim e sipër gjetën një fëmijë pa mbushë ende motmotin. E gjetën tek merrte ende frymë dhe e ngrohën me avullin e frymës së tyre. Ata u thonë se, me qenë se po ecnin para tyre, nëse do mbërrinin grumbullin e njerëzve që kishin kalue më parë t’u tregonin se kishin një fëmijë pa mbushë ende motmotin, se ishte gjallë dhe dikush prej të familjes duhej me pritë me e marrë atë. Demiri me Agimin e mbërritën grumbullin e njerëzve që kishin shkuar para tyre, të cilët kishin zënë vend pranë një peme me u mbrojtë sadopak prej erës së fortë që e shpërndante borën sa andej këndej. Ata panë prindët e fëmijës, që u çelën në fytyrë kur morën vesh që fëmija i tyre ishte gjallë. Nana e fëmijës u tregoi se e kishte fëmijën në njërën dorë, por prej të ftohtit dora iu ngri dhe s’e kish ndje se fëmija i ra prej dore. Kur nana e fëmijës e kuptoi këtë gjë, qe vonë, jashtëzakonisht vonë dhe bash në këtë kohë kur baba i fëmijës po kthehej mbrapsht me e kërkue (Nëse qe i gjallë ta merrte me veti, nëse qe i vdekur, të paktën, të hapte një copë vend në tokë që fëmija të prehej aty), mbërritën ata, të cilët sollën lajmin e bukur se fëmija jetonte. Ndërsa ata të dy, vazhduan udhën drejt Veshallës së Maqedonisë grupi i njerëzve mbeti mbrapa në pritje të fëmijës.
Në Maqedoni, Demir Reshiti qëndroi për afër 10 ditë.
Aty bleu edhe librin e vet me poezi për fëmijë “Abetaka”. Prej aty erdhi në Kukës, ku u bashkua me familjen dhe tani janë banorë të një çadre, ndërmjet 500 çadrave të tjera, në kampingun që ka ndërtuar Bashkia Kukës, ngjitmas me qytetin. Përveçse banor i qytetit, tani për tani është bashkëpunëtor i të përditshmes “Rilindja”, i agjencisë së lajmeve “Kosovapress” dhe i Radio Kukësit. Kur të kthehet në Kosovë dhe ai thotë se do kthehet së shpejti se s’mund të durojë më gjatë njeriu, do merret me shumë gjëra dhe, prej fillimi i duhet me ndërtue shtëpinë, por dhe të mbushë bibliotekën me libra se parasheh se bibliotekën ia kanë djegë.
Ai kallëzon se banorët e katundit Bresanë (Treva e Opojës), me afër 4000 banorë, u dëbuan me dhunë në mesditën e 3 prillit. Lajmërimin me u largue banorët e morën në formë urdhri tri ditë më parë, por nuk lëvizën, ndërsa kur në katund mbërriti policia dhe ushtria serbe, atëherë, pa pasë udhë tjetër u detyruan të bëjnë gati traktorët dhe pa pasë mundësi me marrë gjë me veti, përveç teshave të trupit, të niseshin për kah pika e kalimit të kufirit në Morin. Ai e vendosi më parë të mos largohej prej katundi, të bënin ç’të bënin me të ose, të paktën të përpiqej sa mund të qëndronte aty. Prej shtëpisë së vet shihte forca të policisë e ushtrisë serbe tek qëllonin mbi kafshët (lopë, dele, qen), më pas thyenin dyert e shtëpive e futeshin brenda. Kur u afruan pranë shtëpisë së tij, ai doli kah ana e prapme, kapërceu prej avllisë n’avlli dhe deri në krye të katundit ku takoi Agim Sinanin dhe të dy, si ndër njerëzit që panë më tepër se të dëbuarit e tjerë se ç’ndodhi në katundin e tyre, u detyruan të nisen për kah Maqedonia.
Demiri shton gjithashtu se tek largohej ka kthye disa herë kryet mbrapa dhe e vrau sa s’mund të thuhet zbrazëtia që kish përfshi katundin ose më saktë, një si vdekje e zbrazët, ndërsa pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe tek u suleshin shtëpive dhe kafshëve i ngjanin si hije të shtrira përgjatë shtëpive, udhëve apo mbi trupat e pajetë të kafshëve.
Tek largohej prej katundi, sikur të shtyhej prej një mase orteku, e pa për të fundit herë atë që po mbështillej prej hijeve që po u zinin frymën gurëve, udhëve, pemëve, shtëpive, krojeve. Po u zinin frymën gjërave që s’kishin jetë, ndërsa banorët e katundit së bashku me anëtarët e familjes së tij bash për të frymës se jetës kishin lënë mbrapa hijet në terrin e tyre.