• Kjo është përmbledhje e juaj e tretë e poezive. Sipas përshtypjes tonë, në këtë përmbledhje, më shumë se më parë keni kaluar përtej “esnafit” të poezisë dhe keni sjellë më shumë detaje filozofike e artistike në vargjet tuaja? Për krijimtarinë letrare a është i nevojshëm qëndrimi se poetët duhet të jenë edhe intelektualë edhe artistë?

Poezia është produkt shpirti e jo dicka që mund të mësohet, megjithatë një poezi e fuqishme që pretendon t’ia përcjell një mesazh shoqërisë, kujtoj se duhet të bart në vete edhe thërrmija të urtive filozofike.
Secili njeri që ka pak shpirt poetik mund ta bart atë në letër por një poezi e arrirë mund ta shkruaj evtëm një intelektual që arrin ta shpërfaq gjithë brishtësinë e shpirtit të tij duke e ngapërthyer atë me filozofinë dhe urtitë e jetës.

  • Në këngën “Njeriu i mirë”, skepticizmi yt kthehet në dyshim se në pasqyrën tënde nuk njeh më një njeri që kishte besim tek njerëzit, një fjalë të dhënë, dashuri, mirësi. Në këngët tjera të ngjashme “Vdekja” etj. ju e nxjerrni në pah anën e errët të jetës. Ky skepticizëm është një moment apo është i grumbulluar mbi depozitat e jetës?

Unë nuk shkruaj për tu pëlqyer të tjerëve unë shkruaj për ta shpërfaqur brishtësinë e shpirtit tim dhe për ta përshkruar duke denoncuar dhe kritikuar realitetin në të cilin jetoj.
Unë nuk e solla errësirën në shoqërinë tonë përmes poezive të mia, unë vetëm e përshkruaj errësirën që e gjeta aty sepse besoj se duke dijagnostifikuar sëmundjen unë bëj hapin e parë drejt shërimit të saj. Ndaj në mënyrë të pakompromis, pa bishtërime e servilizëm unë demaskoj kohën e pabesë dhe bëj thirrje që të mos heshtet padrejtësia

  • Në krijimtarinë tuaj biejnë në sy koha, përvoja me vite të tëra që sjellin mençuri, pjekuri, ju shkruani edhe për tema aktuale si dhuna në familje e të ngjashme. A ka mundesi që këngë të tilla të “fundosen” dhe mesazhi i tyre të mos arrijë në destinacionin e dëshiruar për shkak të shfrytëzimit të tepruar mediatik për këtë temë?

Poezia ime jam vetë unë, ndaj përmes saj konsideroj se realizoj një obligim dhe të drejtën intelektuale që përmes poezive dhe sentencave të mia poetike në mënyrë kritike ti shpreh qëndrimet e mia për dukuritë devijuese të shoqërisë.
Mosha, si mësues më i mirë i jetës më obligon që ta them fjalën ngase unë armë tjetër për ta luftuar të keqen përvec fjalës nuk kam, ndaj me të drejtën time intelektuale unë marr guxim ta shpreh mendimin tim kritik duke u munduar tu shmangem kurtheve të përsëritjeve mediatike.

  • Si është gjendja e letërsisë në gjuhën shqipe sot në Kosovë? A ka autorë që mund ti veçoni dhe që sipas jush e kalojnë nivelin e letërsisë kombëtare?

Jo rastësisht tituli i librit tim është “Pështjellim emocionesh” ngase përmes këtij tituli kam dashur ta përshkruaj edhe skenën tonë artistike si një pështjellim i interesave e kompelekseve individuale me cicërimet e pafajësisë poetike që gërditshëm përzihen me aromën e cufteve dhe qebapave prizrenase në një skenë poetike ku shkruan dhe vlerëson gjithkush e gjithcka.
Për fat të mirë ka shumë të rinj që me vlerat e veta po arrijnë suksese edhe përtej kufijve të mentalitetit të shoqrisë dhe shtetit tonë

  • A mendoni se njerëzit (lexuesit) në këto treva janë të mbyllur në rrethet e tyre kombëtare, lokale, apo fisnore dhe se nuk mund ta vënë re universalitetin e artit dhe kulturës?

Poezia e arrirë është bukuri që nuk njeh kufi dhe kushdo që kujton se mund ta mbyll atë në kornizat e nacionales apo primitivizmit të tij kurrë s’ka për tu bë poet, e këso tendenca për fat të keq janë shumë të theksuar në hapësirën tonë si shprehje e frymëzimit të munguar, padijes dhe pafuqisë së tyre intelektuale dhe poetike

  • Si t'i nxisim njerëzit ta lexojnë një libër, si të binden ti ndëgjojnë njerëzit e tjerë, apo edhe si të shkruajnë një poezinë një tregim të tyre?

Poezia është e bukura e jetës dhe e bukura vetvetiu, të bën për vete, ndaj unë besoj se mënyra më e mirë për ti nxitur të tjerët të lexojnë një libër është thjeshtë ti bartësh bukurinë e ngjyrave të jetës në faqet e librit.

  • Për çfarë po mendon këto ditë?

A ia ka vlejtur…!?
Duke kujtuar një urti popullore boshnjake që thotë se “për ideale vdesin budallenjtë” e pyes veten se a ia ka vlejtur gjithë ajo sacrifice, gjithë ai përkushtim, i gjithë ai mund, djersë e frikë për ideale të nëpërkëmbura për një liri që nuk i solli të gjitha pritjet e saja
A ia ka vlejtur të jesh njeri i mirë në një shoqëri me plot të këqija!? A ia vlenë të jesh i drejtë në një shoqëri ku i drejti urrehet dhe anashkalohet dhe trajtohet si i marr!?
Ngjanë si një pyetje shekspiriane dhe kur ai nuk e ka gjetur përgjegjen e kush jam unë që ta gjej!?

KSU